FOLKFEST · Edicioni i tretë
FOLKFEST 2026
Përfundoi Festivali Folklorik FOLK FEST 2026, edicioni i tretë — dy netë magjike që i dhanë qytetit të Shtimes një pamje krejtësisht tjetër.
Edicioni i tretë
Me datat 2 dhe 3 tetor, dy netë magjike i dhanë qytetit të Shtimes një pamje krejtësisht tjetër. FOLK FEST këtë vit nuk bashkoi vetëm shqiptarët, por solli në Shtime edhe shumë artistë nga shtete të ndryshme, si Turqia, Sllovakia, Sllovenia, Çekia e të tjera.

Nata e parë
Grupet artistike nga shtetet e ndryshme performuan në skenën e festivalit, duke treguar traditat, këngët dhe veshjet e tyre tradicionale. Mysafirë special të natës së parë ishin dy ansamblet fituese të edicioneve të kaluara, Ansambli “Deçani” dhe Ansambli “Bresana”, që ishin ajka e asaj nate.
Nata e dytë
Më 3 tetor përfundoi nata e dytë e këtij edicioni. Në skenë u ngjitën gjashtë ansamblet më të mira të trojeve tona shqiptare, të cilat iu nënshtruan vlerësimit të jurisë profesioniste për t’u bërë fitues të çmimit kryesor. Juria u përbë nga etnologia Besarta Reçica, koreografi prof. Dilaver Kryeziu dhe muzikologu prof. Shaqir Hasi, kryetar i jurisë.
Në një vlerësim të drejtë dhe jo të lehtë, fitues i çmimit kryesor, Çmimit Special, u zgjodh QK “Anamorava” nga Viti.
Videoja e plotë e festivalit
Momente nga edicioni






Çmimet e festivalit
- Çmimi kryesor (Çmimi Special) — QK “Anamorava” (Viti)
- Valltarja më e mirë — Lorisa Mulolli, ShKA “Zahir Pajaziti” (Podujevë)
- Këngëtari më i mirë — Memet Bajrami, ShKA “Jeta e Re” (Sllupçan)
- Koreografia më e mirë — ShKA “Jeta e Re” (Sllupçan)
- Orkestra më e mirë — AKV “Vullkani i Istogut” (Istog)
- Valltarët më të mirë — AKV “Shqipet e Drenicës” (Drenas)
- Kostumet më të mira — ShKA “Malsori” (Gjonaj)
- Dyshja më e mirë — Binjaket e ShKA “Malsori” (Gjonaj)
- Instrumentisti më i mirë — Naser Zeqiri, QK “Anamorava” (Viti)
Falënderime
Festivali FOLK FEST 2026, me drejtor dhe drejtues artistik prof. Besnik Brahimi dhe koordinator Altin Gashi, dëshmoi edhe në këtë edicion se, me këtë nivel të lartë artistik për dy netë radhazi, është një ndër ngjarjet më të mëdha në Shtime dhe më gjerë. Drejtori Brahimi u shpreh falënderues për të gjithë mbështetësit: Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe Komunën e Shtimes.
Falënderim edhe për Këshillin artistik: Ensar Mahmuti dhe Shqipe Baftiu, dhe për atë organizativ: Bleon Hajrizi, Elton Lami, Blend Mehmeti, Enkela Baftiu, Elza Mehmeti dhe të gjithë anëtarët e ansamblit “Ilirida” për punën organizative të këtij edicioni.
Organizator i festivalit është Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ilirida” — Shtime. Mbështetës kryesorë: Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Komuna e Shtimes. Bizneset: Bion Juices, Doni Fruits, Market Elira, Market Gryka.